RTSH 24 Live

Kulturë

''Flauti është gjithçka'' - Xhoana Dajani, interpretuese në konkursin ''Pjetër Gaci''

26/05/2024

''Flauti është gjithçka'' - Xhoana Dajani, interpretuese në konkursin ''Pjetër Gaci''

Këto ditë në Shkodër po zhvillohet konkursi ndërkombëtar i interpretuesve të rinj "Pjetër Gaci". Njëra prej tyre është Xhoana nga fshati Stajkë, 16 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ajo ndjek pasionin e saj për instrumentin e flautit që e vogël dhe merr pjesë si një nga konkurrentet e këtij edicioni të 23-të të konkursit të muzikës klasike. Ajo studion në shkollën artistike "Prenkë Jakova".

“Është një gjë shumë e mirë sepse të jep mundësinë për të shfaqur talentin dhe të mësohesh me skenën, për mua është shumë gjë e mirë edhe për të marrë pjesë”, u shpreh flautistja Xhoana Dajani, Shkolla Artistike "Prenkë Jakova".

"Gjithçka" e konsideron flautin Xhoana pasi ky instrument përfaqëson diçka të rëndësishme për jetën e saj.

Valbona Bushati është mësuesja e përkushtuar e Xhoanës. Në sytë e saj ka krenari teksa flet rreth cilësive të saj.

“Është një nxënëse shumë e veçantë sepse ka një teknik, korrektese dhe muzikalitet të mrekullueshëm”, tha flautistja Valbona Bushati.

Xhoana ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme muzikore ku është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme. Konkursi ndërkombëtar "Pjetër Gaci" është një mundësi e mirë për promovimin e artistëve të rinj në fushën e muzikës. Në këtë edicion marrin pjesë rreth 200 konkurentë nga Shqipëria dhe shtete të tjera.

/RTSH/