RTSH 24 Live

Sociale

“Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave” - Ekspozitë mbi trashëgiminë numizmatike të Durrësit

08/11/2024

“Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave” - Ekspozitë mbi trashëgiminë numizmatike të Durrësit

Është hapur në qytetin e Durrësit ekspozita fotografike “Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave”.

Ekspozita “Dyrrahu i Rrëfyer nëpërmjet Monedhave” u hap në Kullën Veneciane, të Durrësit, duke ofruar një këndvështrim të veçantë për historinë e zhvillimit ekonomik të qytetit përmes monedhave antike.

“Synon të përfshijë publikun e gjerë, por edhe turistët edhe vizitorët e shumtë. Kemi në muze vetëm një pjesë të artefakteve që i takojnë këtij qyteti, një pjesë tjetër janë në Muzeun Kombëtar, por edhe në Muzeun e Bankës së Shqipërisë”, u shpreh Antigoni Suli, specialiste e Qendrës Muzeore Durrës.

Çdo imazh i paraqitur në këtë ekspozitë sjell në jetë monumentet dhe objektet historike të Durrësit, duke e bërë këtë një udhëtim të jashtëzakonshëm kulturor për të pranishmit.

Qëllimi është që muzeun që kemi në ndërtesën në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë, ta sjellim edhe për vizitorët e tjerë që nuk kanë mundësi të na vizitojnë, në ekspozitën tonë në këtë ndërtesë. Meqë jemi në Durrës, kemi sjellë fotografi të monedhave historisë së Shqipërisë”, tha Besa Prela, përgjegjëse e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Monumentet dhe objektet historike, përcollën  një udhëtim kulturor për vizitorët. Ekspozita përfshinte gjithashtu projektin “MONEY smART”, që synonte edukimin financiar për publikun, duke e bërë përvojën jo vetëm historike, por edhe ndërgjegjësuese për çështjet financiare.

/rtsh.al/