RTSH 24 Live

Sociale

“Braktisen” drutë për ngrohje në Kukës, qytetarët drejt zgjedhjeve alternative

7 orë para

“Braktisen” drutë për ngrohje në Kukës, qytetarët drejt zgjedhjeve alternative

Në ballkonet e apartamenteve në qytetin e Kukësit  por edhe hapësira të tjera që shfrytëzoheshin nga qytetarët jemi mësuar rëndom të shohim stiva me dru për ngrohje, dalëngadalë, vendin e tyre po e zënë kondicionerët. Agim Demnushi është njëri prej mekanikeve që merret me montimin dhe riparimin e kondicionerëve. Thotë se vendosja e një kondicioneri në Kukës së fundmi është kthyer në trendë e madje me kërkesa të larta.

Agimi thotë se për qytetarët e Kukësit është më e lehtë, jo vetëm për shkak të mossigurimit të druve të zjarrit por edhe nga ana ekonomike dhe në një farë mënyre lehtësim për grup moshën që ka mbetur në një pjesë të konsiderueshme të familjeve kuksiane.

Sipas tij edhe vendosja e një kondicioneri ka specifikat dhe kërkon patjetër këshillim specialistësh nëse është i duhuri për të përballuar temperaturat e zonës tonë. Agimi prej 15 vitesh merret me këtë profesion.

Por edhe ky profesion ka vështirësitë e tij, aq më shumë në disa prej pallateve të ndërtuara para viteve 90 me mure që i kalojnë parametrat teknik të pallateve që ndërtohen së fundmi.

Në Kukës këtë fillim vjeshte, kur qytetarët përgatiten për dimër, një metër kub dru zjarri kalon 5.500 deri në 6.000 lek, veç çmimit edhe sigurimi i tyre është mjaft i vështirë për shkak të mungesës të një pikë grumbullimi e shitje të lëndës drusore për ngrohje.

Gazetar: B. Muçmata

 

/RTSH/