RTSH 24 Live

Letërsi

“Ato gdhendin dhimbjen”/ Gazetarja, Alketa Fazliu, sjell një triologji që vjen si artefakt kundër harresës

12/04/2023

“Ato gdhendin dhimbjen”/ Gazetarja, Alketa Fazliu, sjell një triologji që vjen si artefakt kundër harresës

“Pesëmbëdhjetë histori dhimbje nënash zemërshpuara”, ashtu siç i emërton nënat e dëshmorëve të Luftës së Kosovës, shkrimtarja dhe gazetarja nga Kosova, Alketa Fazliu, janë përmbledhur në një libër, i cili u promovua sot në Tiranë, në Akademinë e Shkencave.

Ky nuk është vetëm një libër i thjeshtë rrëfimesh, që përcjell dhimbjen e gdhendur në zemrat e thyera të nënave që kanë humbur bijtë e tyre për kauzën e lirisë dhe atdhedashurisë, por “Ato gdhendin dhimbjen” vjen edhe si një libër që mbart dëshmi. Kjo është edhe arsyeja pse ky libër ka filluar të përkthehet edhe në gjuhë të tjera.

Rrëfimet e këtyre nënave, të cilat konsiderohen nga shkrimtarja si monumente shpirtërore-historike, nuk janë gdhendur vetëm në letër. Përjetimin e dhimbjes që është e skalitur në çdo rrudhë të fytyrës së tyre, e gjejmë edhe në imazhet e dokumentarit me të njëjtin titull, i përgatitur nga vetë gazetarja.

Shkrimtarja, Alketa Fazliu, numëron 11 vepra të shkuara në gjini të ndryshme, si estetikë, prozë e poezi. Me librin “Ato gdhendin dhimbjen”, autorja e ka sprovuar veten në një tjetër stil të shkruari, të cilin nisur edhe nga misioni që mbart, do të vazhdojë sërish të përcjellë të tjera rrëfime.

 

Gazetare: Ornela Caka

/rtsh/