RTSH 24 Live

Kosovë

Ambasadori amerikan: Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE!

13/06/2024

 Ambasadori amerikan: Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union. Në vlerësimin e tij BE-ja po kërkon nga Serbia vetëm normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Mendoj se ata kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, ka thënë Hill për mediat serbe.

Në pyetjen nëse BE-ja do të reduktonte tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin ruso-kinez duke e anëtarësuar të gjithë rajonin, dhe nëse kjo është e mundur pa SHBA-në, Hill ka theksuar se blloku merr vetë vendimet dhe se “kur një vend dëshiron të bëhet anëtare, SHBA-ja e mbështet, gjë që e bëjnë edhe me Serbinë”.

Duke komentuar “Kuvendin Gjithëserb”, një takim i përbashkët të Qeverive të Serbisë dhe Republikës Srpska së Bosnje Hercegovinës, diplomati amerikan tha se ishte ngjarje e madhe me folklor.

“Por, mendoj se një gjë që të gjithë duhet të kuptojnë është se (Marrëveshja) e Daytonit është baza e integritetit territorial të Bosnjës, integritetit territorial të entiteteve brenda Bosnjës dhe se këto elemente të Daytonit duhet të respektohen nga të gjitha palët”, ka shtuar Hill.

Ndërsa iu përgjigj akuzave se është i butë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ai theksoi se beson se çdo diplomat i huaj shkon në një vend dhe bashkëpunon me përfaqësuesit e atij vendi dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Vuçiçin derisa të jetë ai president i Serbisë.


/ rtsh.al /