RTSH 24 Live

Kulturë

“Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, Roland Qafoku promovon librin e tij, të pranishëm Rama dhe Yuri Kim

20/07/2022

“Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, Roland Qafoku promovon librin e tij, të pranishëm Rama dhe Yuri Kim

Në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, gazetari Roland Qafoku, autori i emisionit “DEKALOG” në RTSH, ka promovuar këtë të mërkurë librin e tij “Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri 1922-2022”. Të pranishëm në ceremoninë e promovimit ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Teksa prezantoi librin e tij, gazetari Qafoku u shpreh se vështrimi është mbi ata që e kanë drejtuar ambasadën e SHBA në Shqipëri që prej vitit 1922, vit kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, edhe pse, sipas tij, historia e këtyre marrëdhënieve daton shumë më herët.

  

Marrëdhëniet tona janë vendosur në 1922, por historia e këtyre marrëdhënieve daton shumë herët. Nëse në 100 vite rresht ambasadorët amerikanë ne vazhdojmë t’i quajmë “yje”, kjo lidhet vetëm për një arsye, politika amerikane ka triumfuar në Shqipëri sepse ka gjetur mbështetjen e një populli që në 110 vite shtet i është cenuar drejtësia, pavarësia dhe drejtësia, kjo është arsyeja pse i vlerësojmë kaq shumë ambasadorët amerikanë. Vështrimi i librit është me ata që e kanë drejtuar ambasadën”, tha Qafoku.

Kryeministri Edi Rama, teksa vlerësoi librin e Qafokut, u shpreh se historia e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë “të pazgjidhshme” me marrëdhënien e posaçme, siç e quajti ai, me SHBA.

Një libër që meriton përgëzime dhe mirënjohje për punën voluminoze dhe për nxjerrjen në dritë të kësaj vepre në një moment të rëndësishëm siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Një libër i tillë mbase do të ishte absurd në çdo vend tjetër të Europës, por jo në Shqipëri. Historia e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këtë marrëdhënie të posaçme. Ka qenë e lidhur qysh në krye të herës kur kjo marrëdhënie lindi si rezultat i një lloj “dalje për zot” i SHBA për Shqipërinë dhe mbetet e tillë edhe sot, ku SHBA janë shumë të pranishme në jetën tonë të përditshme përmes ambasadorëve të tyre që kanë një prani dhe një rol që në çdo vend tjetër do të ishte i pakuptueshëm, por që në Shqipëri mbetet i pazëvendësueshëm. Kjo ka të bëjë me ne, me historinë tonë, me stadet tona të zhvillimit, nevojën tonë për këtë  marrëdhënie që është shumë më e thellë nga sa mund të duket dhe shumë më strategjike nga sa mund të lexohet në pamje të parë, duke shkuar deri te garancia absolute e vetë pacenueshmërisë së vendit tonë”, u shpreh Rama.

Ambasadorja Yuri Kim, ndërsa e konsideroi librin e gazetarit “të shkëlqyer”, tha se detyra e ambasadorit amerikan në Shqipëri është një nder i veçantë sepse “askush në botë nuk është si një shqiptar”

Kam menduar gjatë kësaj kohe, në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, për çdo gjë që ka ndodhur. Kemi patur problemet dhe vështirësitë, por edhe sukseset. Dhe sot, kur urojmë zotin Qafoku për librin e tij të shkëlqyer, ne festojmë edhe hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin në BE. Kush do ta kishte menduar këtë 100 vite më parë. Për çdo ambasador amerikan është nder i madh t’i kërkohet nga Presidenti i SHBA për të prezantuar shtetin tonë në një shtet tjetër. Për ata prej nesh që kanë ardhur në Shqipëri si ambasadorë është një nder edhe më i madh, një nder shumë i veçantë sepse është vërtetë vendi më i veçantë dhe askush në botë nuk është si një shqiptar”, theksoi Kim.

Foto nga ceremonia e promovimit të librit

/rtsh.al/