RTSH 24 Live

Sociale

Zona muzeale më tërheqëse për celjen e bujtinave dhe bizneseve

01/05/2021

Zona muzeale më tërheqëse për celjen e bujtinave dhe bizneseve

Në qytetin e Gjirokastrës vitet e fundit ka një trend në rritje për çeljen e bujtinave dhe hoteleve të rinj në funksion të turizmit. Sipas kryetarit të dhomës së tregëtisë dhe industrisë Gjirokastër, Maksim Hoxha, është kryesisht zona muzeale e cila preferohet nga administratorët për hapjen e shtëpive si bujtina. 

“Kjo është një fushatë që ka disa vite që ka filluar e që shumë banorë të lagjeve karakteristikë pronarë shtëpish dhe bujtinash, janë sensibilizuar  dhe po investojnë në shtëpitë e tyre për ti kthyer në bujtina dhe struktura akomoduese dhe çdo ditë hapet nga një e re, qoftë edhe me pak dhoma. Përsa i përket biznesit, është një situatë që po ecën paralelisht me gjendjen”, shprehet Maksim Hoxha.

Përsa i përket biznesit në qytetin e Gjirokastrës, pritet që situata të përmirësohet ndjeshëm me vazhdimin e fushatës së vaksinimit dhe me lëhtësimin e masave kufizuese, shprehet Hoxha. 

“Situata është e vështirë nga pandemia  dhe patjetër që kjo do reflektojë te ecuria e biznesit. Nuk është një situatë e kënaqshme por po mundohen të menaxhojnë bizneset e tyre dhe ti mbajnë ato deri në kalimin e kësaj faze. Patjetër shpresa është shumë e madhe sidomos me procesin e mirë që ka nisur, të vaksinimit, sepse sa më shumë njerëz të vaksinuar,  aq më e sigurtë do të jetë  situata. Shpresojmë në atë që i kemi kërkuar qeverisë, që të futen në prioritet për vaksinim personelet e strukturave akomoduese apo strukturave që punojnë  në industrinë e turizmit dhe shpresojmë që kjo të bëhet sa më shpejt. Jemi të kënaqur deri tani me fundjavat, duhet që të fillojë normaliteti që ne të flasim me shifra të tjera më të kënaqshme”.

Biznesi i vogël por edhe sipërmarrësit e bujtinave familjare dhe hoteleve në Gjirokastër, janë ndër më të prekurit nga pandemia që me kalimin e kohës dita-ditës po rikuperohen.