RTSH 24 Live

Sociale

Zogaj, vendi ideal për t‘u eksploruar, fshati po preferohet shumë nga turistët e huaj

20/10/2024

Zogaj, vendi ideal për t‘u eksploruar, fshati po preferohet shumë nga turistët e huaj

Një perlë e vogël e turizmit, që shtrihet buzë liqenit të Shkodrës, fshati Zogaj është një nga zonat atraktive turistike. Përveç shkodranëve, tashmë Zogaj po merr edhe vëmendjen e turistëve të huaj.

Unë kam ardhur nga Brazili dhe po e shijoj në maksimum panoramën që të ofron kjo zonë. Për mua është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Në Shkodër kam gjetur ngrohtësi, keni shumë vende të bukura të cilat kanë zili që ti kenë shumë shtete, madje edhe në Brazil. Besoj se do të rikthehem sërish”, tha një turiste.

Një vend, i rrallë, me liqenin shumë të bukur dhe ajrin e pastër. Kemi ecur në këmbë gjatë gjithë rrugës për të ardhur në Zogaj. Këtu janë njerëzit shumë miqësor dhe tepër të dashur me ne. Mendoj se duhet të bëhet më shumë përsa i përket turizmit sepse keni një vend tepër të bukur, për mua është hera e parë që vizitoj Shqipërinë, jam nga Zvicra”, u shpreh një turist.

Kam ardhur nga Gjermania dhe po me pëlqen shumë ky vend, mjafton të shohësh përreth dhe ka çdo gjë ky vend. Është qetësi absolute, kalohet shumë bukur”, tha një tjetër turist.

Ndërsa  qytetarët shkodranë shpresojnë në ndërtimin e rrugës së re Shriokë- Zogaj.

Fshati është shumë i mirë, po shpresojmë bëhet rruga. Na kanë gënjyer shumë, por këtu kënaqesh nëse bëhet rruga”, tha një banor.

Zogaj është një vend ideal për t’u eksploruar, por edhe për të bërë pushime, pasi natyra duket se nuk është kursyer për asgjë.

Gazetar Mirsad Rakaj

/RTSH/