RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet vendore/ PD e Berishës dorëzon në KQZ listën me emrat e anëtarëve të KZAZ-ve

27/01/2023

Zgjedhjet vendore/ PD e Berishës dorëzon në KQZ listën me emrat e anëtarëve të KZAZ-ve

Teksa na ndajnë dhe pak muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, partitë politike kanë nisur dërgimin e listave të anëtarëve të KZAZ-ve në KQZ. Partia Demokratike e Berishës ka dorëzuar këtë të premte listën me emrat e anëtarëve të KZAZ-ve të firmosur nga Flamur Noka, ndonëse KQZ ende nuk e njeh zyrtarisht.

"Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka i ka dërguar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi propozimin e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në vijim të shkresës nr. 186 prot., datë 16.01.2023 si dhe bazuar mbi parashikimet e nenit 29 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, si dhe Vendimit nr. 06. dt.

09.01.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve 'Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore të datës 14 maj 2023", lutem gjeni bashkëlidhur listën e plotë dhe dokumentacionin përkatës të komisionerëve dhe sekretarëve propozime të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se më 12 janar u hodh shorti për përcaktimin e drejtimit të KZAZ-ve në të gjithë vendin për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku PS do të ketë kryetarin në të gjitha KZAZ-të me numër çift dhe PD do të drejtojë KZAZ-të me numër tek.Por duke qenë se situata brenda PD-së është e ndarë në dy kampe dhe Gjykata ende nuk ka vendosur statutin e cilës do njohë, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka thënë se ka komunikim me përfaqësuesit ligjor të dy pjesëve të PD.

Nuk mund të ketë dy parti me të njëjtin emër. Ne kemi komunikim institucional me Partinë Demokratike. Përfaqësues të PD në KQZ është zoti Marash Logu dhe Indrit Sefa. Në kuadër të komunikimeve qoftë edhe të karakterit profesional kemi komunikime me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë. Do vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacionin në KQZ nëse ka apo jo tagrin për të sjellë në emër të PD kërkesa të ndryshme. Sot është përfaqësues i PD Logu dhe Sefa. Do jenë këta nesër apo pasnesër nuk e them dot por autorizimi që ata kanë është në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor.  Kur të vijë një kërkesë edhe për regjistrimin e Partisë Demokratike do vlerësojmë legjitimitetin e atij që sjell dokumentin. Për nevojën për të qartësuar duhet të kuptojmë që kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ se kush është organi që përfaqëson një parti politike. Është një institucion tjetër. Do vlerësojmë kur të kemi këto kërkesa bazuar në një dokumentacion që nuk e prodhon KQZ”, ka thënë Celibashi.

/rtsh.al/