RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zgjedhjet presidenciale, nis procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut, në garë 7 kandidatë

24/04/2024

Zgjedhjet presidenciale, nis procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut, në garë 7 kandidatë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar këtë të mërkurë (24 prill) qendrave të votimit në zgjedhjet për presidentin e vendit.

Për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen sot, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

Zgjedhjet e fundit presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 % të numrit të votuesve.

Për ndjekjen e procesit zgjedhor janë akredituar 942 vëzhgues, gazetarë të huaj dhe përkthyes, nga të cilët  342 vëzhgues vendorë dhe 568 të huaj.

Zgjedhjet e shtata presidenciale në vend do të mbahen sot (24 prill), ndërsa rrethi i dytë i mundshëm së bashku me parlamentaret, më 8 maj.

Janë 7 kandidatë që garojnë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, mes të cilëve edhe 2 shqiptarë. Kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski kërkon një mandat të ri që vendi të vijojë rrugëtimin evropian.

Në zyrën e Avokatit të popullit, prej orës 7:00 deri në orën 19:00, qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo lloj shkelje të së drejtës zgjedhore.

Avokati i popullit paralajmëroi se me qëllim të mbrojtjes së të drejtës zgjedhore të qytetarëve do të ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucione të tjera, të cilat, potencoi, janë të detyruara t’u sigurojnë mbrojtje qytetarëve në realizimin e të drejtës së tyre të garantuar.

/rtsh.al/