RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, votat e shqiptare vendimtare në procesin e 8 majit

04/05/2024

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, votat e shqiptare vendimtare në procesin e 8 majit

Votat e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut pritet të vendosin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kryesisht për arritjen 40% të pjesëmarrjes së votuesve. 

Aktualisht si nga BDI dhe nga koalicioni opozitar VLEN thonë se partitë ende nuk kanë sjellë vendim se cilin kandidat presidencial mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovskës do të mbështesin më 8 maj. 

Ndërsa lidhur me zgjedhjet parlamentare, që mbahen në po të njëjtën ditë, fushata e partive politike është fokusuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. 

Bilall Kasami nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN vlerëson, se ky koalicion ka legjitimitetin e votuesve shqiptarë prandaj dhe duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme. 

Edhe BDI e Ali Ahmetit vlerëson se i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në qeveri. "Fronti Evropian përveçse garanton qëndrueshmëri dhe bashkëjetesë, do të sigurojë edhe dy kushtet elementare për formimin e qeverisë së ardhshme, shumicën prej 61 deputetësh dhe shumicën sipas parimit të Badenterit” – tha Bujar Osmani. 

Ndërsa VMRO-DPMNE paralajmëroi se koalicionin qeveritar do ta formojë me opozitën e bashkuar shqiptare VLEN. Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski tha se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj. “Nuk dua të flas me ata që dërgon çdo ditë BDI, pasi për mua kjo parti është kapitull i mbyllur dhe do të shkojë në opozitë”,- tha Mickoski. 

Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /