RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Votuan 71% e të regjistruarve në përfaqësitë diplomatike

08/02/2025

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Votuan 71% e të regjistruarve në përfaqësitë diplomatike

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Votuan 71% e të regjistruarve në përfaqësitë diplomatike

Mbi 71 për qind e qytetarëve të Kosovës të regjistruar në diasporë votuan të shtunën (8 shkurt) për qeverinë dhe deputetët e tyre të ardhshëm.

14.463 votues nga 20.324 gjithsej ushtruan të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike ku kishin kërkuar, në 43 vendvotime të shpërndara nëpër 16 ambasada e konsullata të Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës.

Ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selemi - po ashtu votuan, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

"Mund t’iu konfirmoj se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së," tha Elezi.

Për zgjedhjet e 9 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka renditur 104.934 shtetas si votues jashtë Kosovës, por 84.525 prej tyre kanë zgjedhur ta kryejnë këtë proces përmes postës nga 9 janari. Ndërkohë mbi 44 mijë jetojnë vetëm në Gjermani. 

"Ju njoftojmë se deri në orën 19:20, sipas orës lokale në vendin tonë, ka përfunduar votimi për përfaqësitë në 26 përfaqësi diplomatike, të cilat janë të vendosura në 17 shtete të ndryshme. Procesi i votimit është duke vazhduar në 4 përfaqësi të tjera të vendosura në SHBA dhe Kanada dhe pritet të përfundojë në orën 1 pas mesnate sipas orës sonë lokale," njoftoi kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi.

Ai theksoi se procesi i votimit është zhvilluar pa vështirësi e probleme dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin për votime edhe nesër, në datën kryesore.

Procesi i numërimit të votave të diasporës pritet të nisë pas numërimit të votave në përgjithësi.

/rtsh.al/