RTSH 24 Live

Botë

Zgjedhjet në Brandenburg - Socialdemokratët e Scholz, fitore të ngushtë ndaj AfD-së së ekstremit të djathtë

4 orë para

Zgjedhjet në Brandenburg - Socialdemokratët e Scholz, fitore të ngushtë ndaj AfD-së së ekstremit të djathtë

Tre javë pasi ekstremi i djathtë në Gjermani fitoi bindshëm në shtetet e Turingisë dhe Saksonisë, Alternativa për Gjermaninë  kishte shpresuar se do të përsëriste të njëjtin sukses edhe në zgjedhjet e së dielës në shtetin e Brandenburgut, por zgjedhësit i dhanë mbështetje partisë së kancelarit gjerman.

Socialdemokratët e Olaf Scholz shënuan një fitore të ngushtë përballë Alternativës për Gjermaninë.

Sipas sondazheve të publikuara menjëherë pas mbylljes së votimit të dielën, SPD rezultoi se fitoi rreth 32 për qind të votave kundër AfD-së, e cila u mbështet nga rreth 29 për qind e votuesve.

Ditmar Voidkë, kryeministri popullor i SPD-së në Brandenburg, i cili shmangu fushatën me Scholzin, pasi është kritik ndaj sjelljes dhe politikave të koalicionit të tij qeverisës, mirëpriti rezultatin e zgjedhjeve.

"Duket se edhe një herë, si shpesh në histori, ishin socialdemokratët ata që ndaluan ekstremistët në rrugën e tyre drejt pushtetit."- u shpreh ai pas fitores së ngushtë ndaj AfD-së.

Pavarësisht suksesit të saj në kutinë e votimit, AfD nuk ka gjasa të marrë pushtetin në asnjë shtet pasi të gjitha partitë e tjera kryesore deri më tani kanë përjashtuar hyrjen në një aleancë qeverisëse me partinë.

Zgjedhjet në shtetin e Brandenburgut janë ndjekur me interes të lartë, sepse partia socialdemokrate e Scholz-it ka qeverisur atje që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990 dhe për shkak se zona elektorale e kancelarit është në Potsdam, kryeqytetin e këtij shteti federal.

Një fitore e AfD-së në zgjedhjet e së dielës do t'i kishte dhënë një goditje të madhe shpresave të Olaf Scholz-it për një mandat të dytë në zgjedhjet federale të Gjermanisë vitin e ardhshëm.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/