Rreth 42 mijë kërkesa janë grumbulluar në platformën PER për regjistrimin e shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit, por kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 11 Majit.
Nga të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri më tani, më shumë se 27 mijë kërkesa janë shqyrtuar, por rreth 17 mijë janë miratuar.
Në kërkesat sipas gjinisë, meshkujt kryesojnë me 65% dhe femrat me 35%.
Grupmosha më e interesuar mbetet 26–35 me afro 29%, e ndjekur nga grupmosha 36–45 me 27%, 19% shtetasit nga 46–55 vjeç, 14.6% mosha mbi 56 vjeç dhe më pak të interesuar të rinjtë e moshës 18–25 vjeç.
Numri më i lartë i kërkesave vjen nga shteti fqinj, Italia, me rreth 14 mijë aplikime; më pas Greqia, që ka kaluar shifrën e 10 mije të regjistruarve; dhe Gjermania me rreth 6 mijë.
Në rang qarku, kërkesa më të mëdha ka kryeqyteti: Tirana, afro 9 mijë; Fieri me 7 mijë; Korça rreth 5 mijë, e ndjekur nga Durrësi me më shumë se 3 mijë e 520.
Për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe duan të bëhen pjesë e regjistrimit për të votuar me poste në parlamentaret e 11 Majit, KQZ-ja fton diasporën të bëhen pjesë e procesit e të shkarkojnë në aparatin e celularit aplikacionin KQZ për sistemet Android dhe iOS, si dhe të vizitojnë www.kqz.gov.al, rubrikën "Votues nga jashtë", për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu, KQZ-ja vijon të sqarojë se në rast refuzimi të kërkesës, shtetasit me të drejtë vote mund ta ribëjnë kërkesën në platformën për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë deri më 4 mars 2025.
Sipas Komisionit, të dhënat duhet të jenë të sakta dhe adresa të përputhet me adresën e shënuar në dokumentin që provon qëndrimin jashtë territorit të Shqipërisë.
/rtsh.al/