RTSH 24 Live

Aktualitet

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Kim: Do monitorojmë procesin! Të mos ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet

14/12/2022

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Kim: Do monitorojmë procesin! Të mos ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka deklaruar se SHBA do të monitorojë procesin e zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në një postim në Twitter, ku bën me dije se javën e fundit ka zhvilluar takime me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kim shkruan se zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK, nuk duhet të ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet.

Sipas ambasadores Kim, drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, teksa e konsideron këtë si thelbin e reformës në drejtësi.

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkruan Kim.

Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet më datë 16 dhjetor dhe pritet ta marrë detyrën më 19 dhjetor, kur përfundon edhe mandati i kreut aktual, Arben Kraja. Në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani, kandidaturat e të cilëve janë verifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

/rtsh.al/