RTSH 24 Live

Europë

Zelensky: "Çdo bisedë për Ukrainën pa Ukrainën nuk do t’i njohim"

17/02/2025

Zelensky: "Çdo bisedë për Ukrainën pa Ukrainën nuk do t’i njohim"

Ukraina nuk do të marrë pjesë në bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë në Arabinë Saudite, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky para mediave në Abu Dabi, në nisje të vizitave të tij në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite dhe Turqinë.

Ukraina nuk ishte në dijeni të bisedimeve në Arabinë Saudite, nuk do të marrë pjesë në to dhe nuk do të njohë asnjë marrëveshje të bërë për veten pa përfshirjen e saj. Kështu ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, siç raporton “Interfax-Ukraine”.

“Nuk mund të njohim asnjë marrëveshje për ne, pa ne”, u ka thënë Zelensky gazetarëve në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Nuk do t’i njohim këto marrëveshje”, vijon ai.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, ka thënë të hënën pasdite se askush nuk do t’ia imponojë Zelenskyt marrëveshjen për paqe dhe që “ai dhe njerëzit e tij do ta marrin atë vendim”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yuri Ushakov, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin për çështje të politikës së jashtme, do të udhëtojnë për në Arabinë Saudite, për t’u takuar me homologët e tyre amerikanë, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Bisedimet e planifikuara për 18 shkurt në Riad do të fokusohen në përmirësim të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, ka thënë Peskov para gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili veçse është në Riad, Këshilltari për siguri kombëtare, Mike Waltz, dhe i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff, ka konfirmuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, bashkë me homologun e tij serb, Lavrov ka thënë se Evropa tashmë i ka pasur disa mundësi për t’u përfshirë në gjetjen e një zgjidhjeje për Ukrainën, dhe nuk e di se si mund të kontribuojnë shtetet evropiane nëse ftohen në tavolinën negociuese, duke marrë parasysh se politikanët evropianë dëshirojnë që lufta të vazhdojë.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance (djathtas), sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio (i dyti djathtas) dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky (i dyti majtas). Munih, 14 shkurt 2025.

Ndonëse ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për Ukrainën në mesin e politikanëve evropianë, shumica pajtohen se dëshirojnë “paqe afatgjate” për Ukrainën.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka insistuar që Zelensky “do të përfshihet” në negociatat për t’i dhënë fund luftës ruse, derisa ka thënë se mund të takohet shumë shpejt me liderin e Kremlinit, Putin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

/rtsh.al/