RTSH 24 Live

Europë

Zelenski: Me Rusinë flasim për paqen që nesër nëse tërhiqet nga Ukraina

16/06/2024

Zelenski: Me Rusinë flasim për paqen që nesër nëse tërhiqet nga Ukraina

Ukraina është gati të mbajë bisedime për paqe me Rusinë në momentin që ushtria ruse do të lërë territorin ukrainas, tha të dielën presidenti Volodimir Zelenski.

Deklarata erdhi në mbyllje të një samiti dyditor në Zvicër, ku temë ishte arritja e konsensusit ndërkombëtar për paqen pas 842 ditësh luftë e viktima në Ukrainë.

Aktiviteti përfundoi me një deklaratë të përbashkët, që ia veshi Rusisë përgjegjësinë për luftën dhe shkatërrimin e pësuar.

"Ne duhet të bëjmë punën tonë. Të mos e mendojmë Rusinë, sepse deri tani Rusia dhe lidershipi i saj nuk janë gati për paqen. Ky është fakt. Përkundrazi!

Për ne rezultati është gjëja më e rëndësishme. Rezultati është fundi i kësaj lufte. Për sa i përket negociatave, mendoj se e kam sqaruar më herët. Rusia mund të nisë negociatat me ne që nesër, pa pritur fare, nëse largohen nga territoret tona të ligjshme," u shpreh z. Zelenski.

Mes 90 shteteve të botës që u përfaqësuan nga liderët e tyre, Kina, mbështetësja më e madhe e Rusisë, nuk ishte, ndërsa dokumentin e përbashkët nuk e firmosën as disa pjesëmarrës, si India, Afrika e Jugut dhe Arabia Saudite.

"Ukraina nuk e ka thënë kurrë që Kina është armikja jonë. Unë e kam thënë gjithmonë se Ukraina ka vetëm një armik, Putinin, sepse ai na sulmoi. Unë do të doja që Kina të ishte mike e Ukrainës," tha presidenti ukrainas. /BBC

/rtsh.al/