RTSH 24 Live

Kosovë

Zbulohet laboratori i drogës në Kosovë, sekuestrohen 7 kilogramë heroinë e kokainë

3 orë para

Zbulohet laboratori i drogës në Kosovë, sekuestrohen 7 kilogramë heroinë e kokainë

Një tjetër laborator që përdorej për përpunimin e heroinës dhe kokainës, është shkatërruar në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje rreth zbulimit të këtij laboratori dhe shkatërrimit të tij.

Ky laborator në rrugën “Hyzri Talla” është zbuluar pas një hetimi dhjetëmujor, me masa të veçanta hetimore të aplikuara nga hetuesit e antidrogës.

Antidroga e Policisë së Kosovës dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pas një hetimi dhjetëmujor, në bodrumin e një banese në lagjen “Bregu i Diellit”, rruga “Hyzri Talla”, mbrëmë rreth orës 21:50, është gjetur një laborator i drogës.

Media në Kosovë raporton se, gjatë kontrollit është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë.

Prokurori në Departamentin e krimeve të rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bashkim Zeqaj ka thënë se ky aksion ka rrjedhur si rezultat i një hetimi të cilin e kanë pasur në vazhdimësi nga ana e prokurorisë dhe policisë dhe si rezultat janë arrestuar dy persona.

“Jemi në një objekt banimi ku dyshohet për një laborator i cili ka shërbyer për përpunimin e narkotikëve, jemi në grumbullimin e provave…Jemi duke i mbledhur të gjitha provat nga vendi i ngjarjes. Dy persona për momentin i kemi të ndaluar për veprat penale që i përkasin narkotikëve dhe jemi duke zhvilluar hetime të mëtutjeshme në rrjedhën e kësaj ngjarjeje që tani për tani shihen disa kavanoz dhe disa elemente tjera të mbushura me disa preparate por për llojin e narkotikëve do të bëhet ekspertizë nga Agjencia për Forenzikë”, ka thënë ai.

 

/rtsh.al/