RTSH 24 Live

Kosovë

“Kurti po përdor Veriun për vota”, kreu i PDK thotë se Kosova nuk mund të imponojë zgjidhje pa partnerët ndërkombëtarë

21/09/2024

“Kurti po përdor Veriun për vota”, kreu i PDK thotë se Kosova nuk mund të imponojë zgjidhje pa partnerët ndërkombëtarë

Kreu i opozitës në Kosovë Memli Krasniqi akuzon kryeministrin Albin Kurti se po përdor Policinë e Kosovës në veri për qëllime elektorale.

“Ajo çka i takon Kosovës si një shtet demokratik, liberal dhe modern është që të krijohen kushte që të gjithë qytetarët të ndihen të barabartë. Andaj instrumentalizim, siç është thënë edhe nga Departamenti Amerikan, i policisë për të arritur qëllime momentale për fushatë zgjedhore nuk është i mjaftueshëm. Kjo është evidente, veprimet që po ndërmerren në situata të caktuara kanë dëshmuar një gjë të tillë”, u shpreh kryetari i PDK ne Kosove, Memli Krasniqi.

Kreu i PDK thekson se ura e Ibrit nuk mund të hapet pa mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës.

 “Ne nuk jemi në luftë për kontroll territorial. Ne këtu jemi në një betejë politike dhe diplomatike për të pasur në anën tonë së pari partnerët tanë kryesor ndërkombëtarë. S’do të ketë mundësi Kosova të imponojë asnjë zgjidhje në momentin e fundit. Problemi është i thjeshtë, urën e Ibrit nuk e kanë mbyllur shqiptarët e kanë mbyllur ndërkombëtarët. Sikur të ishte kjo vetëm një vendim i thjesht ishte marrë 100 herë para Kurtit. Ai e ka ditur edhe vetë se nuk mund të hapë urën për qarkullim të veturave vetëm se ka dëshirë.”, tha Krasniqi.

Në intervistën për KosovaPress, kreu i PDK vuri edhe një herë dukje se raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë janë në nivelin më të ulët për shkak të qasjes së gabuar së kryeministrit Kurti. Ai tha se duhet riformatuar dialogu me Serbinë, ndërsa riintegrimi i komunitetit serb në institucionet në veri duhet të ndodhë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Lidhur me kërcënimet dhe kërkesat e presidentit serb Vuçiç, Krasniqi tha se janë vetëm shfaqje politike dhe konsum i brendshëm.  

/RTSH/