RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Perëndimi përkëdhel Serbinë në kurriz të Kosovës

4 orë para

Kurti: Perëndimi përkëdhel Serbinë në kurriz të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar Perëndimin se po “përkëdhel” Serbinë për shkak të shqetësimeve për destabilizim. Sipas Kurtit, Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters Kurti tha “se përkëdhelja e Serbisë gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft. Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”.

Kurti ka theksuar më tej se Serbia ka gjetur partnerë në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve të BE-së për destabilizim në rajon.

 “Ajo [Serbia] ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, ka thekuar Kurti në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Reuters". 

Kryeministri i Kosovës ka vënë në dukje se BE nuk ka reaguar ndaj shkeljeve që ka bërë Serbia.

Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes. Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, tha Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

/rtsh.al/