Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës, Kurti është shprehur i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim.
Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës.
Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, Kurti konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Gjatë drekës janë adresuar edhe çështje të tjera ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.
/rtsh.al/