RTSH 24 Live

Sociale

Arkitektët e parë, takohen për 50-vjetorin e diplomimit

3 orë para

Arkitektët e parë, takohen për 50-vjetorin e diplomimit

Brezi i parë që morën titullin arkitekt takohen bashkë për 50-vjetorin e diplomimit. 24 të rinjtë e asaj kohe rrëfejnë me nostalgji për vitet e universitetit, ndërsa japin opinionin e tyre për transformimin që i është bërë sot kryeqytetit.

Një brez brez arkitektësh që kalojmë nëpër shtigjet e nostalgjisë.

Ky takim i rrallë bën bashkë ish-studentët e parë të diplomuar në degën e arkitekturës. Teksa ngjisin shkallët e universitetit politeknik të Tiranës, rikthimi 50 vite pas, në të njëjtin auditor ku studiuan 24 të rinjtë e asaj kohe është një kujtim i paharrueshëm.

Fillimisht, studentët formoheshin si Inxhinierë, e më vonë me titullin Inxhinier – Arkitekt. Për herë të parë në vitin 1969 filluan studimet për Arkitekturë, që në vitin e parë, ku rastësia e deshi të ishin 12 djem dhe 12 vajza.

Ky ishte brezi i parë me titullin Arkitekt që u diplomua në vitin 1974. Ata vendosën të rrëfejnë emocionet në të njëjtën godinë ku kaluan vitet e fakultetit, me pasionin dhe vullnetin që do t’i shpinte anekënd Shqipërisë me kontributin që ata dhanë.

Një pjesë prenë biletën për t’u bërë bashkë si dikur. Prej vitesh në emigrim, në sytë e tyre Tirana duket ndryshe. Si profesionistë nuk e fshehin edhe ndonjë kritikë lidhur me transformimin që i është bërë kryeqytetit.

Jo rastësisht në këtë takim gjendet edhe profesori Robert Kote, që  u dha bazat e arkitekturës, në kompozim arkitektonik, ndërsa zhvillojnë edhe një orë leksioni. Gjatë apelit ka edhe mungesa, të atyre që nuk mundën të ishin, por mes të pranishmëve vihen re nota të forta nostalgjie.

Me përfundimin e studimeve në vitin 1974, secili mori drejtime të ndryshme, ku askush nuk mbeti pa u punësuar në fushën e arkitekturës. Në vitin 1984, Katedra e Urbanistikës u nda nga ajo e Arkitekturës, ndërsa në vitin 1993 u krijua Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ishte funksional deri në vitin 2013, kur u krijua Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili mbart mbi vete traditën dhe përvojen dhjetravjeçare të Universitetit Politeknik të Tiranës në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës. Sot ky fakultet ofron një paketë të plotë akademike me studime në të treja ciklet.

 

 

/rtsh.al/