Moderatorët e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës janë shpallur zyrtarisht. Ornela Bregu, Enkel Demi dhe Dalina Buzi do të drejtojnë këtë event madhështor që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga 19 deri më 22 dhjetor.
Enkel Demi, i njohur për karrierën e tij në Radio Tirana, e cilësoi këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për çdo artist dhe audiencë.
“Unë e kisha mbyll festivalin dhe e mendoja se nuk do e bëja më. Unë jam prodhim i Radio Tiranës dhe natyrisht do e pranoja një ftesë të tillë. Ky festival është fillimisht një prodhimi radios dhe pastaj i televizionit. Është një event që unë nuk kisha si të mungoja”, u shpreh Demi.
Dalina Buzi gjithashtu ka një lidhje të ngushtë me RTSH-në, pasi puna e saj e parë ka qenë në Radio Tirana. Ajo shprehu entuziazmin për të sjellë një energji të re në festival, duke krijuar lidhje të forta mes shikuesve dhe eventit. Buzi theksoi se, ndonëse festivali ka rrënjët e tij të forta, ajo do të kontribuojë në sjelljen e risive dhe freskisë në këtë ngjarje të madhe.
“Puna ime e para ka qenë në Radio Tirana. Duhen promovuar gjithmonë rrënjët e lidhur me risitë. Unë do kem këndin tim ku do të krijojë lidhjet mes shikuesit dhe festivalit duke sjellë një lloj energjie ndryshe dhe një ajër tjetër të festivalit. Festivali ka rrënjët dhe i ruan ato dhe më vjen shumë mirë që është kjo ndërthurje”, u shpreh Buzi.
Ornela Bregu e cilësoi një rikthim në RTSH, aty ku e ka nisur karrierën e saj 27 vite më parë.
“E pranova me shumë kënaqësi ftesën për t’u rikthyer në ekran dhe aq më tepër në RTSH, aty ku kam fillesat e mia 27 vite më parë. Është një përgjegjësi shumë e madhe. RTSH është shkalla më e rëndësishme për këdo që ka nisur një karrierë televizive dhe Festivali i Këngës është më i rëndësishmi në të gjithë festivalet e tjera”, tha Bregu.
Ky trio moderatorësh premton një edicion të veçantë dhe dinjitoz të Festivalit të Këngës, duke sjellë një përvojë të re dhe emocionuese për publikun shqiptar.
/rtsh.al/