Zbatimi i planit të rritjes si dhe përpjekjet drejt integrimit rajonal do të jenë në fokus të samitit që zhvillohet sot në Bruksel (18 dhjetor).
Takimi do të shërbejë si një mundësi për të ndjekur momentin e ri për partneritetin strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë një reflektim se si të thellohet ky partneritet dhe të ecim përpara së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian, thuhet në faqen e Këshillit të Europës.
Sipas axhendës publike, RTSH mëson se disa temat kryesore të diskutimit do të jenë: Rritja e integrimit BE-Ballkani Perëndimor përmes planit të rritjes, thellimi i angazhimit politik të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Liderët e BE dhe të BP do të diskutojnë bashkëpunimin për të përballuar sfida të përbashkëta që burojnë nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas zyrës së shtypit të KE liderët e BE dhe të BP do të shkëmbejnë pikëpamje lidhur me trajtimin e përbashkët dhe menaxhimin e migracionit.
Kjo përfshin harmonizimin e politikës së fuqizimit të kufijve të jashtëm të BE-së, nëpërmjet projektit Frontex.
Gjithashtu thuhet se kjo ka të bëjë me rritjen e bashkëpunimit me sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për të luftuar terrorizmin dhe parandaluar radikalizmin.
Rritja e integrimit me Ballkanin Perëndimor përmes planit të rritjes
BE-ja është e përkushtuar për të sjellë partnerët e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së gjatë procesit të zgjerimit.
Integrimi gradual i BP tashmë ka filluar në fusha të ndryshme të politikave, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
I nisur në vitin 2023, plani i rritjes synon të integrojë më tej partnerët e Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së përmes avancimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe të stimulojë reformat e nevojshme në lidhje me BE-në.
Plani i rritjes ka potencialin për të dyfishuar rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme dhe për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat në lidhje me BE-në të cilat i kanë përcaktuar në axhendës e tyre respektive të reformave.
/rtsh.al/