RTSH 24 Live

Europë

Partneriteti me BE, Kallas: Shqipëria në çdo tryezë ku do flitet për sigurinë e Europës

4 orë para

Partneriteti me BE, Kallas: Shqipëria në çdo tryezë ku do flitet për sigurinë e Europës

Shqipëria do të ketë një zë më të fortë në tryezat për sigurinë e kontinentit falë një marrëveshjeje të firmosur të mërkurën në Bruksel.

Të pranishëm në ceremoninë për "Partneritetin për Sigurinë dhe Mbrojtjen" ishin kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas.

Dokumenti për gatishmërinë dhe angazhimin për asistencë në rrugën e integrimit u firmos nga znj. Kallas, ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Znj. Kallas theksoi se kontributi i Shqipërisë si anëtare e NATO-s do të jetë me vlerë në këtë bashkëpunim të ri.

"Është gjë e mirë që e nisim këtë samit me Ballkanin Perëndimor me ceremoninë e nënshkrimit. Ne i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë direkt dhe duam të bëjmë më shumë nëpërmjet kësaj marrëveshjeje për sigurinë e përbashkët. Kjo tregon se Shqipëria do të jetë në të gjitha tryezat ku do të diskutojmë për sigurinë e Europës dhe gjithashtu na lejon të shkëmbejmë më lehtësisht informacionet, na lejon ta shtrijmë bashkëpunimin tonë në luftën kundër sulmeve kibernetike, keqinformimit dhe mbrojtjen kundër terrorizmit," u shpreh diplomatja europiane.

Ceremonia u mbajt para samitit BE–Ballkani Perëndimor të parashikuar sot mbasdite (18 dhjetor). Sipas axhendës publike, temat kryesore të diskutimit do të jenë: rritja e integrimit BE-Ballkani Perëndimor përmes planit të rritjes, thellimi i angazhimit politik të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.

/rtsh.al/