RTSH 24 Live

Serbi

Zaimi: Rezoluta e Srebrenicës, paralajmërim për Serbinë

25/05/2024

Zaimi: Rezoluta e Srebrenicës, paralajmërim për Serbinë

President serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas miratimit të rezolutës për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë se qëllimi i saj ishte "t'ia vendosë fajin moral dhe politik njërës palë", Serbisë.

8 mijë burra dhe djem myslimanë raportohen të jenë vrarë nga forcat serbo-boshnjake në vitin 1995, por Vuçiq u shpreh në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që personat përgjegjës morën dënimin e merituar me burg.

Tentativat e presidentit serb për të bindur komunitetin ndërkombëtar për refuzimin e rezolutës së OKB-së u konsideruan "qesharake dhe primitive" nga kryeredaktorja Gerta Zaimi në emisionin "3D".

"Kjo rezolutë vjen në formë paralajmërimi, shumë e vonuar, kur zërat për turbullira nga Bosnjë-Hercegovina dhe për secesion nga Republika Sërpska janë shumë të forta. Rezoluta kërkon t'i japë një paralajmërim Serbisë që të mos jetë më faktor destabilizimi bashkë me \[Milorad\] Dodikun. Vuçiq po viktimizohet dhe po luan me numrat.

Vuçiqi kapet me Gjermaninë, sepse është i vetmi vend në Europë që, në lidhje me holokaustin dhe për atë që ndodhi gjatë Luftës II Botërore, ka kërkuar falje, punon me brezat, me historianët. Kjo rezolutë nuk është e Këshillit të Sigurimit, pra nuk ka forcë detyruese ndaj Serbisë, por ka forcën morale, etike, historike," tha znj. Zaimi.

Milorad Dodik është kryesuesi i njërës prej dy rajoneve që përbëjnë Bosnjë-Hercegovinën, i Republikës Sërpska, ku jeton një shumicë serbe. Dodiku ka kërkuar ndarjen zyrtare të rajonit nga vendi.

"Ai de facto mund ta kërkojë, por nuk është kollaj ta bëjë. Kushtetuta e vendit saktësohet se Bosnjë-Hercegovina është vazhduese e Republikës së mëparshme. E dyta, brenda kushtetutës nuk lejohen ndarjet në njësi apo nënnjësi shtetërore nëpërmjet secesionit. Edhe në bazë të traktakteve ndërkombëtare duhet të ketë një persekutim ndaj një popullsie që të kërkojë ndarjen. Vetëvendosja nuk është e kollajshme," u shpreh znj. Zaimi për "3D" në RTSH.

/rtsh.al