RTSH 24 Live

Kulturë

Ylljet Aliçka: Kadare ishte ambasadori më efikas i njohjes së problematikave shqiptare në botë

02/07/2024

Ylljet Aliçka: Kadare ishte ambasadori më efikas i njohjes së problematikave shqiptare në botë

Ismail Kadare mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e 1 korrikut, por kontributi i tij në letërsinë shqiptare do të jetojë përgjithmonë. Në studion e RTSH24, profesor Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe pedagog, tha se kontributi i Kadaresë është i paçmueshëm po ashtu edhe në çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e shtetit të ri të Kosovës.

Meritat i ka të mëdha vepra e tij letrare. Nëse do bënim një bilanc se çfarë mbete nga një emër i tillë i madh është kontributi i paçmueshëm në letërsinë shqipe, pa harruar kontributin në çështjen kombëtare shqiptare, në mbrojtjen e shtetit të ri të Kosovës dhe rolin e tij intelektual në çështje të brendshme shqiptare. Ajo që do mbetet sot është talenti i tij letrar, njohja e Shqipërisë në botë. Ishte ambasadori më efikas, më ekselent i njohjes së problematikave shqiptare në botë”, u shpreh Aliçka.

Akuzat se Kadare ishte aleat me regjimin komunist, sipas Aliçkës, nuk qëndrojnë teksa theksoi se askush nuk e ka goditur thelbin e diktaturës më shumë se ai.

Ajo kohë nuk ishte kohë trimash. Kadareja aq sa ka patur frikë nga regjimi dhe është përpjekur të përdorë gjuhë alegorike dhe të mos dalë ballë përballë për të qenë disident i hapur, përdori mjeshtërinë e tij me gjuhën alegorike, ironike për tju kundërvënë komunizmit. Akuzat se ishte aleat me komunizmin nuk qëndrojnë. Pretendohet se ka takuar Enver Hoxhën, Nexhmie Hoxhën dhe Ramiz Alinë, mund t’i takojë 100 herë, por rëndësi ka çfarë i dha ai shqiptarëve, me çfarë takse, në ato libra që e ka bërë personazh Hoxhën, po në ato libra ka shkatërruar i ka hequr tullën e fundit diktaturës. Goditja më e madhe që i është bërë thelbit të diktaturës, askush nuk e ka bërë më shumë se Kadare”, tha Aliçka.

Kadare nuk ishte i njohur vetëm për lexuesit në Shqipëri, por edhe nëpër botë dhe për shkrimtarin Aliçka kjo është vetëm falë meritës së gjeniut të letrave shqiptare.

Kadare nuk është lexuar në botë për shkak të ndonjë mbështetjeje. Fakti që 42 vende të botës e kanë botuar dhe përkthyer, tregon se i jep kënaqësi leximi, lexuesve të atyre vendeve. Është krejtësisht meritë e tij që e ka arritur atë famë”, theksoi ai.

/rtsh.al/