RTSH 24 Live

Kulturë

Xhevahir Spahiu, poeti dhe mjeshtri i metaforave, nderohet në 80-vjetorin e lindjes

04/03/2025

Xhevahir Spahiu, poeti dhe mjeshtri i metaforave, nderohet në 80-vjetorin e lindjes

Poeti Xhevahir Spahiu festoi në datën 1 mars 80-vjetorin e lindjes.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi një veprimtari shkencore jubilare.

Xhevahir Spahiu njihet për kontributin e rrallë, duke u konsideruar mjeshtër i fjalës dhe metaforave.

"Kemi nderin dhe kënaqësinë këtu sot, në këtë ceremoni jubilare, të evidentojmë cilësitë dhe vlerat tuaja njerëzore më të spikatura si poet dhe akademik, që përbën një aset të veçantë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë," tha akademik Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike.

"Një njeri që guxoi të sfidonte kohën me vargjet e tij, duke u bërë simbol i shpirtit të lirë dhe modern të poezisë shqiptare. Për ne ai është dhe mbetet njeriu i thjeshtë me një shpirt të madh me njëmendje të ndritur dhe zemër të pastër," tha djali i poetit akademik, Orges Spahiu.

Gjatë jetës së tij Spahiu ka botuar mbi 50 vepra poetike, monografi e studime estetike.

Librat dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë poetike janë botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht.

Ai ka fituar dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare në krijimtari letrare, publicistikë, tekste muzikore dhe skenarë filmash.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/