RTSH 24 Live

Kosovë

Vulin: Serbia s’do ta bëjë kurrë atë që kërkon BE-ja; të njohë Kosovën

12/10/2024

Vulin: Serbia s’do ta bëjë kurrë atë që kërkon BE-ja; të njohë Kosovën

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se Serbia nuk do ta përmbushë kurrë atë që kërkon Europa që ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruajnë mediat në serbe.

Sipas tij, Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, ndërsa shton se kur njohu BE-në nga brenda u bë euroskeptik.

“Kur fillova të zhvilloj negociata teknike me BE-në dhe kur njoha BE-në nga brenda, u bëra një euroskeptik. Figurat kryesore atje nuk janë të ndershëm. Ata nuk kanë një qëndrim të ndershëm kur bëhet fjalë për anëtarësimin”, ka thënë Vulin për Berliner Zeitung, përpara samitit që do të mbahet në dhjetëvjetorin e konferencës së parë të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Ai nënvizon se Serbia ka pritur 11 vite që BE-ja të përmbushë premtimin e saj, të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Nga ana tjetër, sipas tij, ndërmjetësuesit nga BE-ja po i thonë Serbisë se nëse nuk i prish marrëdhëniet me Rusinë, nuk do të hyjë në BE.

I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin ka thënë se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.

“Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: 'Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t'u jepen disa të drejta'. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse nuk vlen kur bëhet fjalë për Serbinë?”, ka theksuar Vulin për Berliner Zeitung, raportojnë mediat serbe.

/rtsh.al/