Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për "Sky News" se Milan Radoiçiqi nuk është mik i tij, por bashkëpunëtor i afërt, për shkak se ai ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Ai akuzohet [në Serbi] për një krim të madh dhe serioz,” theksoi Vuçiq.
Presidenti gjithashtu shtoi se Serbia nuk mund t'ia dorëzojë Radoiçiqin Kosovës, me kërkesë të Prishtinës, sepse nuk e njeh pavarësinë e fqinjit jugor.
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Gjatë këtij sulmi u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Pasi zunë në prit një patrullë policore, sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar si akt terrorist, ndërkaq Serbia mohon çdo përfshirje në sulmin, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Radoiçiqi.
Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiq tha se ai nuk mund t’i quajë sulmuesit terroristë, edhe pse tha se dënon vrasjen e policit kosovar.
“Ata persona [sulmuesit] u dëbuan nga pragu i tyre,” tha Vuçiq, duke shtuar se sulmuesit “kanë jetuar atje [në Kosovë] dhe dëshironin që të riktheheshin”.
Dislokimi i ushtrisë “nuk është faktor destabilizues”
Vuçiq tha se dislokimi i ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën nuk ishte një faktor destabilizues në Kosovë.
“Ushtria u dislokua sepse situata në Kosovë ishte e vështirë. Këtë gjë bëjnë ushtritë në mbarë botën, por pa qëllim për të sulmuar dikë,” tha Vuçiq.
Lideri serb tha se vetin e kaluar, Serbia kishte vendosur 14.000 ushtarë afër kufirit.
“Ne e kemi shtensionuar situatën. Ne do të kemi njerëz nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të cilët do të shohim se ne tani aktualisht kemi afër 4.400 ushtarë [afër kufirit],” tha Vuçiq.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Serbia “ka nisur tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën. Uashingtoni e cilësoi këtë si “lajm të mirë”.
Vuçiq për "armatimet nga Serbia"
I pyetur në lidhje me pretendimet se sulmuesit në veri të Kosovës përdorën armë nga Serbia, presidenti Vuçiq tha se "pjesa më e madhe e armëve të policisë së Kosovës janë me origjinë nga Serbia".
"Nuk ua kemi shitur ne atyre," tha ai, duke shtuar se disa oficerë policie të Kosovës "që ndoqën serbët mbanin AK të prodhuara këtu në Kragujevc [në qendër të Serbisë]".
Vuçiq tha se armët gjenden lehtësisht, jo vetëm në “tregun e zi”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar më 3 tetor se Kosova ka konfiskuar armë të prodhuara në Serbi pas sulmit të 24 shtatorit.
Ajo hodhi poshtë pretendimet e mëparshme të autoriteteve serbe se armët e përdorura nga grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi ishin marrë në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës. /REL
/rtsh.al/