Presidenti serbi Aleksandar Vuçiq (o. Vucic) ka paralajmëruar se autoritetet e Prishtinës në datën 14 ose 15 gusht planifikojnë që të hapin me dhunë, siç u shpreh ai, urën mbi lumin Ibër që ndan jugun nga veriu i Mitrovicës, ndërsa theksoi se pret provokime të mëtejshme në Kosovë.
“Agjenci të huaja do të përpiqen të caktojnë në detyrë disa udhëheqës të rinj serbë, të cilët do t’i ndihmojnë që të shfaqen si trima, edhe pse nuk janë të tillë, dhe do të përpiqen t’i ndajnë ata nga Beogradi dhe më pas do të bien dakord me Kurtin se si këta udhëheqës të bëhen shërbëtore të tij, ndërkohë që do të punojnë për interesa të huaja. Por kjo nuk do të funksionojë,” theksoi presidenti serb në një dalje për mediet.
Vuçiq gjithashtu i bëri thirrje misionit paqeruajtës, KFOR, që të mos lejojë hapjen e njëanshme të urës.
“Respektojmë KFOR-in dhe besojmë se do të bëjnë punën e tyre,” shtoi presidenti serb.
Për hapjen e urës mbi Ibër, Kosova dhe Serbia u dakordësuan fillimisht në vitin 2015 dhe më pas në 2016-ën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Pavarësisht se SHBA dhe Bashkimi Europian nuk e mbështesin hapjen e saj në këtë kohë, Prishtina ka shprehur vendosmërinë për një lëvizje të tillë. Në fillim të javës janë ndërmarrë edhe inspektimet për të vlerësuar fuqinë mbajtëse të objektit infrastrukturor, në të cilin aktualisht kalojnë vetëm këmbësorë, para se ai të hapet për qarkullimin e automjeteve.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/