Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një takim me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters në Beograd këtë të enjte (25 maj).
Presidenti serb bën me dije se gjatë takimit ka theksuar se “prioritet i Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ndërsa ka theksuar se “do të angazhohet për zbatimin e vendimit për formimin e tij siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit”.
Vendosmëria e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-të në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ka qenë një tjetër diskutim me senatorët.
Senatorët amerikanë po vizitojnë Ballkanin Perëndimor dhe deri më tani kanë vizituar Prishtinën dhe Podgoricën.
Në Prishtinë ata janë takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas takimeve me ta, senatorët kanë thënë se Serbia duhet t'i japë fund bllokadës në përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe kanë nënvizuar rëndësinë e formimit të Asociacionit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015.
Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore.
Serbia kërkon themelimin e Asociacionit, por Qeveria në Prishtinë ka shprehur frikën se një asociacion një etik mund të prekë funksionalitetin e shtetit.
/rtsh.al/