RTSH 24 Live

Rajon

Vuçiç e Putin bidesdojnë sot në telefon, temë edhe Kosova

20/10/2024

Vuçiç e Putin bidesdojnë sot në telefon, temë edhe Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bisedojë  sot ( 20 tetor) në telefon me homologun e tij rus, Vladimir Putin, është konfirmuar për Tanjug në Zyrën e Presidentit të Republikës.

Dy shtetarët, siç është paralajmëruar, do të shkëmbejnë mendime për të gjitha temat aktuale, me theks të veçantë për temat rajonale.

Para kësaj, presidenti rus i ka dërguar të premten një mesazh urimi Presidentit të Serbisë me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945).

Në atë mesazh, Putin ka theksuar se rusët dhe serbët, "krah për krah, luftuan së bashku kundër armikut", duke shtuar se është i kënaqur me qëndrimin e qeverisë serbe ndaj të rënëve të Ushtrisë së Kuqe (ushtria ruse gjatë Luftës së Dytë Botërore).

Ndryshe, Rusia e përkrah vazhdimisht Serbinë sa i përket çështjes së Kosovës. Madje, së fundmi, Moska zyrtare po  përdor edhe një analogji komplet të paqëndrueshme edhe sa i përket luftës së saj të pajustifikuar në Ukrainë, duke e lidhur atë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Serbia, tradicionalisht është konsideruar si një “satelit” rus në Ballkan.

Miqësia e fortë mes këtyre dy vendeve u dëshmua edhe së fundmi pasi që Beogradi zyrtar është vendi i vetëm – së bashku me Bosnje e Hercegovinën, për shkak të vetos së Republikës Srpska – që nuk i ka vendosur sanksione Moskës zyrtare në lidhje me agresionin në Ukrainë.

/rtsh.al/