‘ALARM!! – ‘E ardhmja nuk shihet nga smogu’, ishte ky një nga mbishkrimet në pankartat e mbajtura nga banorët e Shkupit, që të shtunën, për herë të dytë brenda këtij muaji, dolën në një marsh protestues kundër ndotjes së ajrit. Si herën e shkuar, edhe tani, protestuesit nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan drejt Kuvendit dhe e përfunduan në qendër të Shkupit.
Organizatorët, e iniciativës ‘Qyteti i Gjelbër Human’, së bashku me qytetarët protestues, paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup, përfshirë monitorimin e vazhdueshëm publik të objekteve industriale, për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin.
Protestuesit, theksuan se shkak për protestën janë rastet e shumta të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend. “Çdo i nënti rast vdekjeje te foshnjat në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, njoftoi agjencia e Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti. Shkupi ka qenë vazhdimisht ndër qytetet më të ndotura në botë muajt e fundit, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit.
Ndërkohë, masa e vetme që zbatohet për uljen e ndotjes sipas protestuesve është transporti publik falas.
/rtsh.al/