Sipas mjekëve lokalë dhe autoritetit të Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi, 7 roje u vranë në një sulm në Rafah ndërsa mbronin kamionët e ndihmave nga vjedhja e dhunshme e armatosur, për të cilën punonjësit e OKB-së thonë se është pengesa kryesore për marrjen e furnizimeve në Gazën jugore. Një tjetër sulm la të vdekur pesë roje në Khan Younis.
Ushtria izraelite tha se "ka kryer sulme të sakta ndaj terroristëve të armatosur të Hamasit", të cilët kishin planifikuar të rrëmbenin kamionët.
Në një sulm tjetër 15 persona u vranë pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, tha Mbrojtja Civile.
"Okupimi shënjestroi edhe një herë ata që siguronin kamionët e ndihmave," tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Mahmoud Basal për agjencinë e lajmeve AFP. Ai shtoi se rreth 30 persona, shumica prej tyre fëmijë, u plagosën gjithashtu në dy sulmet.
Kamionët po transportonin miell në magazinat që i përkisnin agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa), tha zoti Basal.
Kohët e fundit - në mes të mungesës së madhe të ushqimit - punonjësit e OKB-së thonë se vjedhjet e dhunshme të armatosura kanë qenë pengesa kryesore për marrjen e ndihmës në pjesën jugore të Gazës. Civilët, si dhe mbetjet e policisë së Hamasit, janë mobilizuar në përpjekje për t'iu kundërvënë bandave. Nga ana tjetër, Hamasi thotë se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 700 policë të ngarkuar me sigurimin e kamionëve të ndihmave në Gaza që nga fillimi i luftës së fundit më 7 tetor 2023.
/rtsh.al/