RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e “Eskobarit të Ballkanit”. Mbetet në fuqi dënimi me 10-vite burg për Klemend Balilin

3 orë para

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e “Eskobarit të Ballkanit”. Mbetet në fuqi dënimi me 10-vite burg për Klemend Balilin

Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten rekursin e bërë nga Klemend Balili, lidhur me vendimin e Apelit të Posaçëm, që në vitin 2019 e dënoi atë përfundimisht me 10 vite burg.

Treshja gjykuese: Ilir Panda, Medi Bici dhe Sandër Simoni, nuk e morën parasysh rekursin e Balilit, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Klemend Balili, kundër vendimit nr. 70, datë 17.10.2019, të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton Gjykata e Lartë.

Klemend Balili u dënua më 17 tetor 2019 përfundimisht me 10 vite burg, për kryerjen e veprave penale “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive nga nëpunësit civilë” dhe “pastrim të parave”.

Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Balili përfitoi ulje të 1/3 të dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet. Vendimi u la në fuqi nga Apeli.

Operacioni për goditjen e grupit të Balilit u zhvillua në muajin maj të vitit 2016, operacion që u shtri në Greqi dhe Belgjikë. Në atë kohë, Balili i shpëtoi arrestimit, por u vetëdorëzua pas tre vitesh duke i dhënë fund arratisë.

Kush është Klemend Balili, i njohur ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit”?

Balili ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës. Ai u emërua në këtë post në vitin 2016 nga LSI-ja.

Në vitin 2016 mediat greke bënë të ditur se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në Greqi, i përkiste Klemend Balilit. Hetimi ndaj Balilit në Greqi janë bërë nga disa agjensi zbulimi si “DEA” amerikane, si dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane dhe policia greke, janë ndihmuar edhe nga policia shqiptare.

Balili, të vetmen dalje publike e ka në 2016, duke mohuar akuzat e drejtësisë greke. Ai më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim. Balili ishte pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit. Ai, së bashku me vëllezërit e tij, ka qenë edhe pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës, si dhe i përfshirë edhe në disa biznese të tjera.

/rtsh.al/