Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi të enjten në Kuvend, ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë së Sllovenisë dhe Shqipërisë për bashkëpunimin në mbrojtjen ndaj katastrofave natyrore.
Sipas ministrit, kjo marrëveshje vjen në përputhje me politikat e qeverisë shqiptare për forcimin e Mbrojtjes Civile në kuadër të NATO-s dhe mekanizimin evropian të Mbrojtjes Civile.
“Qëllimi i marrëveshjes është që të rregullojë ofrimin e ndihmës së ndërsjellë në rast katastrofash natyrore apo emergjenca të tjera dhe të nxisë bashkëpunimin në fusha kyçe si aftësimi i personelit të transferimit të njohurive dhe zhvillimi i teknologjive për Mbrojtjen Civile. Sllovenia është një vend me kapacitete shumë të konsoliduara për Mbrojtjen Civile, model për sa i përket rrjetëzimit të vullnetarëve në të gjithë territorin e vendit për të përballuar fatkeqësitë natyrore, por sa i përket edhe bashkërendimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror për Mbrojtjen Civile. Kjo marrëveshje vjen si shkëmbim eksperiencash, por që i gjithë mekanizimi slloven i Mbrojtjes Civile të mund të vijë në ndihmë në rast nevoje në vendin tonë dhe anasjelltas. Forcat e Armatosura të vendit tonë dhe Emergjencat Civile kanë kohë që operojnë edhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë, së fundmi në Turqi dhe në Greqi”, tha ai.
Ministri Vengu foli edhe për efektin e dytë të rëndësishëm që ka kjo marrëveshje me Slloveninë në aspektin e ndërtimit të një rrjeti vullnetarësh në Shqipëri në rast fatkeqësish natyrore të të gjitha llojeve.
“Ajo ka të bëjë me fitimin e eksperiencave të mëtejshme sa i përket dedikimit që pushteti vendor i jep Mbrojtjes Civile dhe ndërtimi i një rrjeti vullnetarësh në vendin tonë. Ne e shohim që reaguesit e parë janë qytetarët, sa herë që ka një vatër zjarri, një përmbytje dhe ne na duhet të krijojmë mekanizma për të stërvitur pushtetin vendor dhe agjencitë që operojnë në terren.
Efektet financiare të kësaj marrëveshje nuk janë të përllogaritura saktësisht, por ajo që parashikohet është fakti se shërbimet e Mbrojtjes Civile shqiptare nëse u vijnë në ndihmë atyre sllovene dhe anasjelltas do të përballohen dhe konfigurohen brenda mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile”, theksoi ministri Vengu.
Ministri theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të forcuar kapacitetet tona kombëtare dhe menaxhim ndërkombëtar në përballimin e emergjencave.
“Është një dëshmi e përkushtimit që kemi për të mbrojtur qytetarët dhe për të kontribuar në sigurinë kombëtare. Kjo nuk është marrëveshja e parë, është e treta që kemi bërë pas Kosovës dhe Maqedonisë dhe do të pasohet nga marrëveshje të tjera, me Greqinë dhe Italinë si vende kyçe në përballimin e emergjencave civile”, tha ai.
/rtsh.al/