Kuvendi miratoi të enjten me shumicë votash disa projektligje, ndër të cilat ishte edhe rritja e kuotës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Për këtë projektligj votuan pro 70 deputetë. Me miratimin e këtij projektligji, Shqipëria rrit kuotat në masën 87 milionë euro duke zotëruar kuota në nivelin e 261 milionë eurove në FMN.
Në këtë seancë, Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se rritja e kuotave të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar është një investim i duhur në sigurinë financiare dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit “Për miratimin e rritjes së kuotës së Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar”, Malaj u shpreh se pr/ligji parashikon rishikimin e kuotave për sa i përket Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, institucion ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota.
Ky projektligj, sipas tij, është në funksion të përmbushjes së detyrimeve që shteti shqiptar ka në drejtim të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Malaj theksoi se bashkëpunimi me FMN-në është thelbësor, veçanërisht në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe kuadrit të politikave monetare dhe fiskale.
Me 71 vota pro deputetët miratuan edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali bëri të ditur se Presidenti ka dhënë pëlqimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes ndryshuese me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të pajiset me angiografi biplanare, që përdoret për të trajtuar goditjet në tru, trombozat apo incidente të tjera kardiovaskulare.
Kuvendi miratoi me 71 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë prezantimit të marrëveshjes për ratifikimmes qeverisë së Sllovenisë dhe Shqipërisë për bashkëpunimin në mbrojtjen ndaj katastrofave natyrore. Sipas ministrit, kjo marrëveshje vjen në përputhje me politikat e qeverisë shqiptare për forcimin e Mbrojtjes Civile në kuadër të NATO-s dhe mekanizimin evropian të Mbrojtjes Civile.
Kuvendi miratoi me 69 vota pro edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.90/2021, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.””, si dhe projektvendimin “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
Me vota 69 pro në seancë u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.
/rtsh.al/