Kirgistani njoftoi të enjten se do të ndryshojë himnin e tij, i konsideruar tepër sovjetik, masa e fundit nga autoritetet për të modifikuar simbolet shtetërore dhe për të forcuar identitetin kombëtar të këtij vendi të Azisë Qendrore, aleat me Rusinë dhe ende i shënuar nga e kaluara e tij nën BRSS-në.
“Është formuar një komision parlamentar për ndryshimin e himnit kombëtar”, raporton agjencia zyrtare e lajmeve, Kabar.
Himni aktual i miratuar pas rënies së BRSS në 1991 është identik me himnin sovjetik dhe anakronik, duke lavdëruar sipas presidentit Sadyr Japarov vetëm pavarësinë, ndërsa Kirgistani tani është një shtet “plotësisht i konstituuar” me një histori “5 000-vjeçare.
Në vjeshtë, ai bëri thirrje për “shkrimin e një himni që do të frymëzojë rininë dhe brezat e ardhshëm”.
Sipas kryetarit të parlamentit Nurlan Shakiev, himni i ri i cili duhet të miratohet deri në prillin e ardhshëm pas një konkursi dhe duhet të jetë “i lehtë për t’u kënduar për njerëzit e moshës 5 deri në 95 vjeç” dhe “do të stimulojë vendin drejt zhvillimit”.
Një aleat i Rusisë, Kirgistani nuk ka ndjekur një politikë dekomunistizimi – me statuja të themeluesit të BRSS Vladimir Lenin në katër anët e këtij vendi malor – por kohët e fundit ka forcuar identitetin e tij kombëtar.
Në Azinë Qendrore, Kirgistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani mbajtën melodinë e himnit sovjetik, por ndryshuan tekstin, duke hequr referencat ndaj komunizmit, Leninit ose “vëllait të madh rus” që erdhi për të “ndihmuar” popujt e Azisë Qendrore.
Pas një modifikimi të Kushtetutës në vitin 2021, Japarov vendosi vitin e kaluar të modifikojë flamurin, një diell i verdhë me paraqitjen e stilizuar të një yurti (tendë karakteristike kirgize) në një sfond të kuq.
/ rtsh.al /