Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Peqin ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të burgosurin tjetër Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, autori i kësaj ngjarje po merret në pyetje nga prokurorët.
Ndërkaq në ambientet e burgut të Peqinit kanë mbërritur prokurori i Elbasanit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë se Përgjithshme të Burgjeve dhe Forcat RENEA.
Sipas drejtorisë së Burgjeve situata është tërësisht nën kontroll dhe autori është izoluar dhe po hetohet ngjarja. Ndërsa shpjegohet “hetimin e ka marre ne dore Prokuroria e Elbasanit!”
“Ju konfirmojme se autori, Sokol Mjacaj, eshte duke u marr ne pyetje nga prokurori!”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së burgjeve.
Si ndodhi ngjarja
I dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj pas një sherri me dy të dënuar të tjerë, Indrit Shaqjan dhe Arben Lleshi, ka lënë të vdekur këtë fundit duke e qëlluar me armë zjarri.
Ndërsa ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja.
Nga ana e saj Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se asnjë gardian, staf policor dhe civil nuk është lënduar.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar se si u bë i mundur futja e armës së zjarrit, e llojit pistoletë, ndërsa hamendësohet se arma është futur në ambientet e burgut përmes dronit.
Historiku i tre të dënuarve
Sokol Mjacaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015, me qëllim grabitjen. Sot u mësua se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kish urdhëruar vendosjen e Mjacajt në regjimin e posaçëm 41 bis në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”.
Indrit Shaqja është dënuar për vrasjen dy të moshuarave mesnatën e shtatorit të 2014, ndërsa Mjacaj po vuan dënimin kapital për vrasjen e dy turistëve çekë me qëllimin për t'i grabitur.
Arben Lleshi, nga fshati Laç-Bruçi i Matit, është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012 në Southempton, por trupi i tij u dogj dhe u gjet në një makinë “Mercedes Benz”.
/rtsh.al/