RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrau të dashurin e gruas, avokati i autorit: Thikën e kishte viktima. Xhuliano kishte bërë dy kallëzime ndaj të riut

08/07/2024

Vrau të dashurin e gruas, avokati i autorit: Thikën e kishte viktima. Xhuliano kishte bërë dy kallëzime ndaj të riut

Avokati Niko Bega ka sqaruar historinë e ngjarjes së rëndë ku një 23 vjeçar mbeti i vrarë me thikë në Fier, ku autor ishte pikërisht klienti i tij Xhuliano Miho. Duke treguar versionin e historisë sipas fjalëve të klientit të tij, avokati Bega sqaron se thikën e kishte 23-vjeçari Xhimi Baka, i dashuri i ish gruas së tij, dhe në konflikt e sipër autori ia ka marrë dhe e ka qëlluar.

Xhuliano Miho është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes, ndërsa avokati sqaron në "Jetë Shqiptare" në RTSH se gjithçka nis kur ai shkoi për të takuar 3 fëmijët e tij.

“Kanë qenë në proces divorci pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme. Bashkëshortja ka pasur lidhje jashtëmartesore, që Xhuliano e ka marrë vesh nga vajza e tij dhe bëri kërkesën për divorc, por ende nuk është formalizuar dhe sot vijojnë ende bashkëshort. Xhuliano ka qenë në Greqi si emigrantë dhe kur është kthyer vajza ka thënë se në shtëpinë tonë vjen një xhaxha. Aty është zbuluar dhe kanë nisur konfliktet dhe Xhuliano i është drejtuar gjykatës me kërkesë për zgjidhjen e martesës që në janar. Xhuliano është ankuar në komisariat, ku kishte bërë dy kallëzime pasi 23-vjeçari e kishte kërcënuar. Klienti im ka shkuar te lulishtja që e dinte ku luanin fëmijët për ti takuar. Sipas Xhulianon kur ishin ulur  i del para edhe 23-vjeçari dhe janë zënë me fjalë. Më pas 23-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe në konflikt e sipër Xhuliano ia ka marrë dhe e ka qëlluar.  Viktima ka nxjerrë një thikë nga xhepi. Pas ngjarjes ai është vetëdorëzuar në polici”, thotë avokati.

/rtsh.al/