RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrau në 2009-ën ish-efektivin në Elbasan, ekstradohet nga Britania shqiptari. Reagon ministri Balla

25/04/2024

Vrau në 2009-ën ish-efektivin në Elbasan, ekstradohet nga Britania shqiptari. Reagon ministri Balla

Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë një 34-vjeçar, i dënuar për vrasje. Bëhet fjalë për shtetasin Donald Hoxha.

Policia e Shtetit njofton se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë” Arrest me burg, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve dhe municionit”. Ai akuzohet se në datën 22.07.2009 në qytetin e Elbasanit në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, kanë vrarë me arme zjarri shtetasin Roland Rexhepin.

Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë Interpolit, me Interpol Mançester/ Mbretëria e Bashkuar, u bë i mundur arrestimi i tij në Angli, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë. Rexhepi, i njohur ndryshe edhe si “Doda” u ekzekutua me dy armë tip kallashnikov mëngjesin e 22 korrikut pranë banesë së tij teksa po shkonte te parkingu ku kishte makinën.

Reagon ministri Balla: Vijon puna me Interpol për gjetjen e personave të fshehur nga drejtësia

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me arrestimin dhe ekstradimin e Donald Hoxhës nga Britania, pas vrasjes së një ish efektivi në vitin 2009.

Në reagimin e tij, ministri Balla shkruan se po punohet çdo ditë me Interpol për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, të fshehur prej kohësh nga përballja me drejtësinë apo vuajtja e dënimit.

“Goditja e pandëshkueshmërisë! Po punojmë çdo ditë, me INTERPOL, për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, të fshehur prej kohësh nga përballja me drejtësinë apo vuajtja e dënimit. Përgëzime Policisë së Shtetit, Interpol Tirana dhe Interpol Manchester për dhënien fund arratisë së një personi mbi të cilin rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe municionit”, ngjarje kriminale e ndodhur 15 vite më parë në Elbasan” shkruan ministri në reagimin e  tij.

/rtsh.al/