RTSH 24 Live

Aktualitet

Pashka ortodokse, politika uron besimtarët

04/05/2024

Pashka ortodokse, politika uron besimtarët

 

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët, ndërsa nuk kanë munguar urimet nga politika shqiptare.  

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në këtë ditë të shënuar, Begaj fton të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.   

"Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës, për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo të gjithë besimtarët ortodoksë. Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën. Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq. Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. Sot, kur besimtarët ortodoksë marrin qirinjtë nga flaka e kandilit në kishë dhe i çojnë në shtëpitë e tyre, marrin me vete edhe shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet. Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë. Pashkë të bekuara e të gëzuara për besimtarët ortodoksë shqiptarë, kudo ku ata festojnë!", uron presidenti. 

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla uroi besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës. Sipas saj, rrugëtimi i Krishtit është më i larti  shembull i përkushtimit.

“Në natën e acartë të dimrit, Jezusi lindi për të gjithë ne. Në botën e trazuar ku jetoi, u shërbeu me përdëllim të gjithëve. Nga vuajtjet e shkaktuara prej zemërimit, urrejtjes dhe lëndimeve, u kryqëzua për të gjithë ne. “Me vdekje vdekjen shkeli” dhe prej errësirës së thellë u ringjall për të gjithë ne. Gëzuar Pashkën ortodokse!”, shkruan në urimin e saj Nikolla.

Spiropali: Uroj sa më pak mllef e mosmarrëveshje! Ta duam më shumë njëri-tjetrin

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropli, nëpërmjet një statusi nërrjetet sociale, ka uruan gjithë besimtarët ortodoks për festën e Pashkës.

Spiropali shprehet se duhet ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe ta trajtojmë me më shumë përkujdesje tokën tonë të përbashkët.

“Nga e premtja e zezë e sakrificës në të dielën e madhe të Pashkës, me ngjalljen e Tij, zgjohet shpresa e të vuajturve, të shtypurve, të vetmuarve, të sëmurëve, të izoluarve, ngushëllimi i të gjithëve që vjen nga besimi se drita e mposht errësirën, dashuria e mposht urrejtjen dhe e mira e mposht të ligën. Për çdo vuajtje ka një lehtësim, për çdo padrejtësi ka një shpërblim, për çdo ego të sëmurë ka një çmim. Në këtë Vigjilje të Pashkës Ortodokse, për njerëzit e vendit tonë të jashtëzakonshëm, uroj sa më pak mllef, mosmarrëveshje, hidhërim, makutëri, urrejtje, dhe sa më shumë mirëkuptim, mbrothësi, punë dhe begati. Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe ta trajtojmë me më shumë përkujdesje tokën tonë të përbashkët.", uron Spiropali. 

Basha: E mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi

Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, ka uruar shqiptarët me rastin e Pashkën Ortodokse përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Të dashur besimtarë ortodoksë, nga zemra ju uroj për shumë vjet gëzuar Pashkën, këtë festë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës dhe dritës mbi të keqen dhe errësirën, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë, babëzinë dhe injorancën! Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi.”, shkruan Basha në platformat sociale.  

Meta: Nuk ka forcë që mund t’i ndalë dritën

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Nëpërmjet një postimi në platformat sociale, Meta uron sa më shumë mbarësi e begati për çdo familje.

 “KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL! Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje! Ngjallja e Krishtit na mëson se sa do i pathyeshëm të duket Djalli, nuk ka forcë që mund t’i ndalë dritën dhe të mirën që të mposhtin errësirën dhe të keqen.

Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!” na kujton se veprat e këqija duhen luftuar me kryengritjen e dashurisë. Le të kremtojmë triumfin e jetës mbi vdekjen me besim të palëkundur dhe energji të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë të shpresës në zemrat tona për një të nesërme më të mirë, që patjetër do të vijë! NGA MOT GËZUAR PASHKËN”, shkruan Meta.

Berisha: Pashkët e tjera të na gjejnë të lirë

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkën nëpërmjet një mesazhi.

“Gëzuar Pashkën, ditën e ngjalljes së Krishtit. Ditën e pavdekësisë, ditën e frymëzimit të njeriut për besimin tek Zoti, tek hyu, tek e vërteta dhe e ardhmja. Le të urojmë nga zemra që Pashkët e tjera të na gjejnë të lirë, në dinjitet dhe shpresëplotë”, uron Berisha.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes.

/rtsh.al/