Një ngjarje tragjike që pason me një dëshmi edhe më tronditëse. Një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër u arrestua për vrasje pas një konflikti të nisur nga një "shikim i papëlqyeshëm" mes dy adoleshentëve.
Në dëshminë e tij të para hetuesve, 14-vjeçari që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin C., rrëfeu se gjithçka nisi pas një shikimi dhe u përshkallëzua në një përleshje të dhunshme.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t'u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, u shpreh autori para hetuesve.
Grupi hetimor e pyeti të miturin edhe sa i përket armës së ftohtë, me të cilën ai kreu krimin e rëndë, por minoreni nuk ka treguar se ku e ka fshehur, madje ka thënë se nuk e kishte në mjediset e shkollës, por e kishte fshehur diku jashtë.
Nga ana tjetër, ekspertët e policisë e kanë pyetur nëse ai është penduar për gjithçka çfarë ka bërë, por i mituri ka heshtur.
Autori i vrasjes së 14-vjeçarit Martin C. u arrestua një ditë më parë pasi akuzohet për veprat penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
Ngjarja tragjike ndodhi më 19 nëntor në afërsi të shkollës "Fan Noli”, ku 3 të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra nga thika, 14-vjeçari Martin C., humbi jetën në spitalin e Traumës.
Vrasja ka tronditur të gjithë vendin, ku në Tiranë më 21 nëntor do të mbahet edhe një marshim kundër dhunës dhe punës që duhet të bëjë shoqëria dhe familja në edukimin e të rinjve. Marshimi do të nis në orën 11.00 nga Shkolla “Fan Noli” deri te Ministria e Arsimit. Mesazhi që do të përcillet është i qartë: Dhuna nuk është zgjidhja!
/rtsh.al/