Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e 40 vjeçarit Dan Hutra i cili mesditën e 1 marsit 2023 në Kodër Kamëz vrau motrën dhe kunatën e ish bashkëjetueses.
40 vjeçari me precedentë penalë kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu pasi ishte dënuar për dhunë ndërsa më parë ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Viktimat e tij janë motra e ish bashkëjetueses së tij, Mevlute Hysa 30 vjeçe dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses. Ndërkohë kanë mbetur të plagosur ish-bashkëjetuesja tij dhe nëna e saj, Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe.
“Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar vetëm pak ditë më parë me datë 16.02.2023. Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës” informoi sot policia.
Policia ka shpërndarë foton e autorit të dyshuar.
"Kush ka informacion të na ndihmojë me arrestimin e tij. Personi është me precedentë penalë dhe paraqet rrezikshmëri dhe policia e Tiranës është angazhuar maksimalisht dhe po vijon kontrollet në ambientet e dyshuara” deklaroi zedhenesi i policisë së Tiranës, Gent Mullai në një prononcim për median nga vendi i ngjarjes.
Kush e vrau Etlevën?
Një tjetër krim u shënua në Kamëz, në rrugën "Besëlidhja" pikërish në momentin kur ndodhi krimi në Kodër Kamëz. Në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe. Ende nuk dihet se kush është autori por "nga të dhënat e para nuk kemi të bëjmë me të njëjtin autor”