RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja në Shëngjin, kërkoi masë më të lehtë sigurisë, gjykata lë në burg portugezin

01/11/2024

Vrasja në Shëngjin, kërkoi masë më të lehtë sigurisë, gjykata lë në burg portugezin

Gjykata e Lezhës ka vendosur të lërë në burg shtetasin portugez Ruben Saraiva, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të 2023 në Shëngjin. I akuzuar kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurie, por kjo u refuzua nga gjykata duke e lënë atë pas hekurave.

Avokati i shtetasit portugez, Kujtim Cakrani tha se e konsideron vendimin e padrejtë, pasi nuk ka asnjë provë që e implikon klientin e tij në këtë ngjarje.

“Ishim në gjykatën e Lezhës për të riparë masën e sigurimit ndaj shtetasit portugez. Prokuroria nuk solli asnjë provë të re, nuk kishte asnjë hetim të ri lidhur me ecurinë e çështjes dhe jemi te pika zero, ku prokuroria nuk ka asnjë provë dhe fakt që ky shtetas të qëndrojë në burg. Nuk e di se po përfundojnë edhe afatet e hetimit dhe prokuroria është e pavendosur për zbardhjen e kësaj ngjarje. Ajo duhet të zgjerojë hetimet lidhur me këtë ngjarje. Kërkuam zëvendësim e masës së sigurimit dhe gjykata vendosi ta lërë në burg pavarësisht se nuk ka prova të reja nga ato që pretendonte nga organi i akuzës thjeshtë me dyshime”, tha avokati.

Atentati ndodhi në prill të 2023, ku biznesmen Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij në plazhin e Shëngjinit. Për ngjarjen u arrestua portugezi Ruben Saraiva, ndërsa të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që dyshohet se janë porositësit e atentatit.

/rtsh.al/