RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja në burgun e Peqinit, arrest me burg për Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët

19/12/2023

Vrasja në burgun e Peqinit, arrest me burg për Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacaj i cili vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan në ambientet e burgut të Peqinit.

Gjithashtu, gjykata vendosi “arrest me burg” për Kamber Hoxhën, i cili mbante postin e drejtorit të  burgut të Peqinit dhe 10 punonjës të këtij burgu.

Po ashtu edhe punonjësit e burgut të akuzuar për shpërdorim detyre është vendosur e njëjta masë, ku përjashtim ka bërë vetëm Vilson Shima, edhe ky punonjës i burgut, ndaj të cilit është dhënë masa me detyrim paraqitje, pasi ka një fëmijë të paralizuar.

Detajet e dosjes së ngjarjes në burgun e Peqinit

Prokuroria e Elbasanit ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit, ku sipas hetimeve punonjësit e këtij burgu kanë neglizhuar kontrollin e autorit Sokol Mjacaj i cili qëlloi për vdekje të dënuarin Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Gjithashtu prokuroria ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë. Sipas dosjes, nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, Sokol Mjacaj me “armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja. Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.”

Sipas prokurorisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit është futur në burg dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjacaj për rreth 20 ditë.

Gjithashtu, sipas dosjes hetimore arma dyshohet të jetë mbajtur prej tij edhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm).

Përkundër këtij fakti, sipas prokurorisë, punonjësit e burgut nuk e kanë kontrolluar fizikisht as gjatë daljes dhe as gjatë kthimit të tij në qeli.

Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.

Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjaca rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë, si dhe nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15.12.2023 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin”, shkruhet në njoftimin e prokurorisë.

Pas ngjarjes u arrestua autori Sokol Mjacaj, si u urdhërua ndalimi për 12 punonjës të burgut përfshirë drejtorin e burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, shefin e policisë së burgut Qani Muçi, 60 vjeç, ish-shefin e policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç, shefin e regjimit në burg Vilson Shima, 37 vjeç, specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç, 3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç, 4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç dhe Indrit Dubali, 41 vjeç.

/rtsh.al/