RTSH 24 Live

Kronika

Vrasja e Briken Sanajt në tetor të 2022, arrestohet në Pejë 50-vjeçari, akuzohet se ndihmoi autorin

01/02/2023

Vrasja e Briken Sanajt në tetor të 2022, arrestohet në Pejë 50-vjeçari, akuzohet se ndihmoi autorin

Një 50-vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë në Pejë të Kosovës, pasi akuzohet si një nga personat e përfshirë në vrasjen e Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur në tetor të 2022 në Tiranë.

50-vjeçari është identifikuar si Gjelosh Krasniqi, ndërsa Policia bën me dije se ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

39-vjeçari Briken Sanaj u ekzekutua mbrëmjen e 30 tetorit 2022 në Tiranë, zonën e njohur si “Kodra e Diellit”. Ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash sa po dilte nga garazhi ku kishte lënë makinën, ndërsa ndërroi jetë rrugës për në spital. Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, e cila më pas u gjet e djegur nga policia.

Falë bashkëpunimit policor mes Fast Albania dhe Fast Kosova, bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë, finalizohet operacioni policor i koduar “Suporti”.  Kapet në Pejë dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 50-vjeçari kosovar i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, nga strukturat e Policisë së Shtetit, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Fast Albania dhe Fast Kosova, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në Pejë, Kosovë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Suporti”, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Gj. K., 50 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur në tetor të vitit 2022, te Kodra e Diellit, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 39-vjecari B. S. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi nga Kosova drejt Shqipërisë”, njofton Policia.

/rtsh.al/