Muaji mars nisi në mënyrë tragjike për kryeqytetin, ku tri gra u vranë dhe tri të tjera u plagosën. Ngjarjet e rënda u shënuan në Kamëz, Paskuqan dhe Astir ndërsa autor është i njëjti person, Dan Hutra. 40-vjeçari konsiderohet nga policia si person me rrezikshmëri shumë të lartë dhe se në vitin 2007 ka vrarë gruan e tij të parë. Ende nuk është bërë e mundur kapja e tij!
Ishte ora 12:45 minuta kur Dan Hutra shkoi në zonën e Kodër Institutit dhe qëlloi për vdekje dy gra dhe la të plagosura dy të tjera.
Bëhet fjalë për ish-gruan e tij, Elena Hysa në familjen e së cilës ishin të pranishëm të afërmit, e ku si pasojë e përdorimit të kallashnikovit mbetën të vdekura Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
E plagosur mbeti Elena Hysa, ish-bashkëjetuesja dhe e ëma e saj, Kujtime Hysa, 60 vjeç të cilat po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës.
Autori i ngjarjes, dyshohet se është autori edhe i vrasjes së një tjetër vajze në Kamëz, konkretisht 31-vjeçares Etleva Kurti, e cila u gjet e vrarë me armë zjarri në derën e shtëpisë.
Ishin familjarët ata që deklaruan, se ajo është vrarë nga Hutra, në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, i cili po kryen dënimin në një nga burgjet e vendit.
Fill pas dy ngjarjeve të para, Dan Hutra 40-vjeçar, shkoi në zonë e Astirit, aty ku plagosi me thikë ish të dashurën e tij, Marjana Gurakuqi, së cilës i mori me dhunë një shumë parash.
Dan Hutra është një emër jo i panjohur për policinë, pasi në vitin 2007 ai ka vrarë ish gruan e më pas është liruar nga burgu.
Ndërsa pas martesës së dytë me Elena Hysën, me të cilën ka dhe një fëmijë, ai u denoncua për dhunë në familje, por pas depozitimit të një dokumenti, ku pretendonte se Elena Hysa e kishte falur gjykata e la të lirë.
Policia e Tiranës ndërkohë po vijon kontrollet në territor për të bërë të mundur gjetjen dhe arrestimin e tij dhe iu bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë për kapje e këtij persoi që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore. / Përgatiti Flutura Tota
/rtsh.al/