RTSH 24 Live

Greqi

Vranë kushëririn që i abuzoi, gazetari: U tha "të shkuara, të harruara"

09/10/2024

Vranë kushëririn që i abuzoi, gazetari: U tha "të shkuara, të harruara"

Emisioni "Jetë shqiptare" në RTSH 1 solli të mërkurën detaje të reja nga ngjarja makabër e javës në Greqi, ku mosmarrëveshjet mes tre shqiptarëve përfunduan me një viktimë.

Një 28-vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra me mjete prerëse pas goditjes nga dy kushërinjtë e tij. Dy të dyshuarit, 17 dhe 19 vjeç, i deklaruan policisë se arsyeja që i çoi në vrasje ishte abuzimi seksual nga viktima, që ata kishin e përjetuar kur ishin fare të mitur.

Gazetari Etmond Guri tha për "Jetë shqiptare" se muajt e fundit ka pasur disa raste të kësaj natyre në shtetin fqinj.

"Në rastin në fjalë janë të përfshirë dy vëllezër, të cilët e vranë kushëririn e tyre mbasi ai kishte ardhur në Greqi për vizitë. Kushërinjtë e kanë telefonuar dhe fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kanë rikujtuar përvojën shumë të hidhur të fëmijërisë, për të cilën biseduan edhe me nënën dhe babain e tyre. Ata e telefonuan 28-vjeçarin për ta sqaruar dhe përgjigjja që u dha ka qenë lënduese për ta. Sipas dëshmisë së autorëve, viktima i ka thënë të atit të tyre 'të shkuara, të harruara'. Në momentin kur vetë djemtë e kanë telefonuar 28-vjeçarin pati qenë qasje ndryshe, 'kemi qenë të vegjël atëherë'. 12 vjet më parë, kur 28-vjeçari ka qenë 14–15 vjeç dyshohet se ai ka abuzuar seksualisht me të dy vëllezërit.

Biseda joqetësuese i ka irrituar ata edhe më tepër. E kanë ftuar për t'u sqaruar, por ai nuk ka pranuar herën e parë. Herën e dytë ngjarja ka devijuar në krim. Babai nuk ka qenë në dijeni se djemtë e tij ishin të armatosur me dy thika provizore, prandaj mendohet që nuk ka qenë një vrasje me paramendim, por një vrasje e ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Mbas ekzekutimit ata kanë shkuar në shtëpi, kanë njoftuar nënën e tyre, e cila menjëherë i ka çuar të dorëzohen në rajonin e policisë," tregoi z. Guri.

Vëllai më i vogël, 17-vjecari, është ai që ka marrë përsipër vrasjen e 28-vjeçarit. Dy të dyshuarit jetojnë normalisht Greqi dhe nuk janë skeduar më parë për krime.

/rtsh.al/